Pas një seance të gjatë e plot debate mes mazhorancës dhe opozitës, Parlamenti Shqiptar ka miratuar tre ligjet e kërkuara nga Bashkimi Europian si një nga kushtet e nevojshme për statusin kandidat të vendit.

Deputetët e pranishëm në këtë seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, ishin 110 nga 140 të mundshmit dhe të tre ligjet u miratuan me shumicën absolute.

Për miratim u fut gjithashtu në rend të ditës edhe projektligjin “Për amnistinë fiskale” i propozuar nga mazhoranca por që me sa duket do e ketë më të vështirë të kalojë, pasi deri më tani socialistët janë shprehur publikisht se nuk do të miratojnë duke e konsideruar atë pjesë të një premtimi elektoral të kryeministrit Berisha.

Tre ligjet e miratuara

  • “Për disa ndryshime në ligjin për Gjykatën e Lartë” u miratua me 108 vota pro,
  • “Për statusin e nëpunësit civil”, u miratua me 107 vota pro
  • “Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë” – u miratua me 108 vota pro

Për këto tri drafte, opozita me anë të kryetarit të saj, Edi Rama, bëri fillimisht të ditur se bie dakord t’i miratojë, por me kushtin që ato të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit. Kusht ky që është pranuar nga mazhoranca e cila me anë të kryeministrit Sali Berisha, ka konfirmuar pranimin e kësaj kërkese të opozitës për të treguar vullnetin e saj për të çuar vendin përpara në procesin e integrimit. Ne fakt, ligjet janë miratuar me përcaktimin që do të hyjnë në fuqi më 1 tetor.

Dita e sotme dhe miratimi i tre ligjeve tregoi se konsensusi është i mundur kur ekziston vullneti politik dhe mbi të gjitha kursen shpenzimin prej milione eurosh( tashmë të panevojshëm) për realizimin e referendumit të parashikuar për në dhjetor të këtij viti.

Hapësira për debat