Deklarata e Përbashkët e Ambasadorit të SHBA në Tiranë, Kreut të Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, dhe Kreut të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri21 janari 2011 ishte një ditë e dhimbshme në historinë e afërt të Shqipërisë me demonstrata të dhunshme në kryeqytetin shqiptar. Në atë ditë tragjike, katër protestues u vranë dhe dhjetëra të tjerë, përfshirë protestues, kalimtarë dhe oficerë policie, u lënduan. Sërish, duam të shprehim ngushëllimet tona për familjarët e viktimave të kësaj dhune të pakuptimtë dhe të pafalshme.

Është e nevojshme që të hidhet dritë e plotë mbi ngjarjet e 21 janarit nëpërmjet një procedure gjyqësore të besueshme, përfshirë një hetim gjithëpërfshirës, të pavarur dhe të lirë nga ndikimet partiake. Me të drejtë, populli shqiptar pret që të jepet drejtësi. Në këtë kontekst, ne besojmë që Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë është institucioni i duhur për ta kryer këtë hetim dhe ai institucion ka besimin dhe mbështetjen tonë të plotë.

Sigurimi i respektit për shtetin ligjor është një element thelbësor i shoqërive demokratike dhe një parakusht për përparimin drejt integrimit në BE. Kjo është gjithashtu pjesë e aspiratave të popullit shqiptar.

21 janari 2012 duhet të jetë më tepër se një ditë përkujtimore. Duhet të jetë gjithashtu një rast për të gjithë qytetarët shqiptarë që të shohin drejt së ardhmes dhe për forcat politike që të forcojnë dialogun e tyre politik, bashkëpunimin mbi integrimin në BE dhe procesin e reformave.

Për këto arsye, ne nxisim udhëheqësit politikë të Shqipërisë t’i japin përparësi interesave të vendit dhe atyre të qytetarëve të tij para çështjeve partiake dhe të përqendrohen që të punojnë së bashku mbi hapat konkrete që në mënyrë vendimtare ta çojnë Shqipërinë përpara në rrugën e reformave në vitin 2012.

Hapësira për debat