Një copëz e Adriatikut në Koha për Libra në Milano më 21 prill. Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe ajo e Malit të Zi, me mbështetjen e Rajonit të Puglia-s, Fondacionit Gramsci në Puglia dhe Shtëpisë Botuese Besa, do të marrin pjesë në Panairin e botuesve italianë që do të hapet në Milano të mërkurën më datë 19 prill.

Programi i takimeve që do të zhvillohen në stendën e Shoqatës së Botuesve të Puglia-s (Pav. 4- Stenda N24/O23) do të ketë në vëmendje diskutimin mbi promovimin në Itali të kulturës dhe letërsisë shqipe dhe asaj malezeze.
Takimi i parë do të nisë në orën 12.00 të ditës së premte, datë 21, me temën “Letërsi dhe afërsi” në të cilën do të marrin pjesë: Ambasadorja e Shqipërisë në Itali, znj. Anila Bitri Lani, botuesi Livio Muci, shkrimtari Arben Dedja dhe profesori i universitetit Francesco Altimari. Në takimin e moderuar nga gazetarja e Albania News, Sonila Alushi, do të diskutohet mbi gjendjen e letërsisë shqipe në Itali, të mësimdhënies së gjuhës shqipe në universitetet italiane, si dhe dukurisë së letërsisë së migracionit.

Takimi i dytë, i iniciuar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare, në vijim të projektit vjetor të këtyre dy insitucioneve mbi promovimin e figurës dhe veprës së Musine Kokalarit në përvjetorin e 100 të lindjes së saj, ku do të jenë të ftuar profesori i Universitetit të Mesinës, Mauro Geraci, hartues i librit “Musine Kokalari, jeta ime universitare. Kujtimet e një shkrimtareje shqiptare në Romën fashiste”, si dhe profesori i Universitetit Urbanian në Romë, Adrian Ndreca, në bisedë me Mimoza Hysën, drejtore e Drejtorisë së Krijimtarisë së Fjalës dhe Përkthimit në Ministrinë e Kulturës, do të zhvillohet në orën 14.00.

Në orën 14.30 do të flitet për letërsinë malazeze: gazetarja dhe shkrimtarja Luisa Ruggio do të bisedojë me Drejtoreshën e Përgjithshmë të Ministrisë së Kulturës së Malit të Zi, znj. Dragica Milic, shkrimtarin Ethem Mandic dhe përkthyesin Sergej Roic.

Takimi përmbyllës në orën 16.00 do t’i kushtohet bashkëpunimit kulturor ndërmjet vendeve të Adriatikut nën drejtimin e Rajonit i Puglia-s si mbështetëse e krijimit të rrjeteve të bashkëpunimit mes dy brigjeve të Adriatikut. Për të diskutuar për gjetjen e rrugëve për bashkëpunimin territorial me qëllim intensifikimin e dialogut kulturor, duke përkrahur njohjen e ndërsjelltë mes vendeve dhe lëvizjen e të rinjve dhe artistëve, do të jenë të pranishëm znj. Elira Kokona, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, znj. Dragica Milic, Drejtore e Përgjithshme në Ministrinë e Kulturës së Malit të Zi, si dhe z.Aldo Patruno, Drejtor i Departamentit të turizmit, ekonomisë, kulturës dhe zhvillimit të territorit të Rajonit të Puglia-s.

Organizuar nga: Fondacioni Gramsci i Puglia-s dhe Shtëpia Botuese Besa në bashkëpunim me Rajonin e Puglia-s, Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, Ministrinë e Kulturës së Malit të Zi, Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë dhe Qendrën e Kulturës Shqiptare.

Media partner: Albania News dhe Salentolive24

Hapësira për debat