Tetori, muaji i sensibilizimit ndaj sindromës Down.
Down Syndrome Albania
Punime n
ë qeramikë, që mbartin vizatimet nga duart e vogla të fëmijëve të kopshteve të kryeqytetit, do të ekspozohen e shiten për kontribut në mbështetje të Fondacionit Down Syndrome Albania, në Rezidencën Kodra e Diellit 2, në Tiranë më datë 22 Tetor, në orën 11:00.

arbi_dsa

DOWN SYNDROME ALBANIA si çdo vit, në Tetor, organizon Muajin e Sensibilizimit ndaj Sindromës Down e, në mënyrë te vazhdueshme e të palodhur, merret me veprimtari të larmishme për të sensibilizuar opinionin publik e për ta kthyer në një numër akoma edhe më të madh, atë të mbështetësve aktualë të kësaj shoqate. Presidentja Emanuela Pepkola Zaimi, nëna e Arbit dhe e dy bukuroshëve të tjerë, është gjithnjë aktive dhe e palodhur, në çdo event apo manifestim.

Personat me sindromën Down, mjafton që të ndiqen në mënyrën e duhur, me metodat, kompetencat  e mjetet e duhura, arrijnë të zhvillojnë potencialitete vetjake dhe një përparim të mëtejshëm të aftësive të tyre në lidhje me pavarësinë personale e atë shoqërore.

Edhe ata, ndërmjet tyre, nuk janë të gjithë të njëjtë, si përsa u përket tipareve fizike, duke ngjarë secili me të afërmit e vet, po ashtu përsa u përket aftësive apo prirjeve specifike dhe pikave më të forta që ata mbartin, të cilat duhet paraprakisht  të konstatohen, të vihen në dukje e të ndihmohen që të zhvillohen e përforcohen.
Për këtë janë të nevojshme fushata, sensibilizime të shoqërisë  në mbështetje të tyre kudo  dhe, në Shqipëri për më tepër, në mënyrë të dallueshme.

Në kuadrin e aktiviteteve të këtij muaji, Fondacioni Down Syndrome Albania, për të katërtin vit radhazi, organizoi marshimin ndërgjegjësues “Buddy Walk Tirana – Eja të kesh një shok për kokë përkrah teje”. Marshimi nisi nga Materniteti “Mbretëresha Geraldine” dhe shiriti i nisjes u pre nga Ambasadorja e Delegacionit Evropian, Romana Vlahutin.

Buddy Walk Tirana
Nga marshimi sensibilizues: “Buddy Walk Tirana – Eja të kesh një shok për kokë përkrah teje”

Morën pjesë gjithashtu: Zv/Ministrja e Arsimit Nora Malaj, themeluesja e Fondacionit Emanuela Zaimi dhe të rinjtë me sindromën Down.

Gjithnjë në kuadrin e këtij Muaji Sensibilizues janë realizuar nga Fondacioni Down Syndrome Albania edhe punime në qeramikë, që riprodhojnë e risjellin në një formë tjetër vizatimet e fëmijëve të kopshteve të ndryshme të kryeqytetit. Këto punime do të ekspozohen e shiten me datë 22 Tetor, në orën 11:00, në Rezidencën Kodra e Diellit 2, në Tiranë, si kontribut në mbështetje të Fondacionit Down Syndrome Albania.

Nisma e përfshirjes së fëmijëve të kopshteve me vizatimet e tyre – pra riprodhimi i vizatimeve mbi objekte të ndryshme qeramike – ka një domethënie shumë pozitive, edukative dhe inkurajuese.

“Kam mësuar të pikturoj si Rafaelo, tani më duhet të mësoj që të vizatoj si një fëmijë”- thoshte Picasso.

qeramika4_dsa

Meqenëse vizatimet e fëmijëve në përgjithësi, shprehin një pjesë të shpirtit të tyre të hedhur mbi letër, në këtë mënyrë, vizatuesit e vegjël shohin veprat e tyre të marrin një formë krejt të re: kalojnë nga fleta e tyre e vizatimit nëpër pjata apo filxhanë qeramike, qarkullojnë në duart e në shtëpitë e njerëzve të njohur e të panjohur.

qeramika3_dsa

Dhurimi i këtyre krijimeve për të mbështetur nismën e fëmijëve me sindromën Down, u kultivon të gjithë fëmijëve, që në moshë të njomë, ndjenjën e solidaritetit e të bashkëpunimit. Nga ana tjetër, sidomos fëmijët të cilëve u bëhet ky dhurim, perceptojnë ngrohtësinë dhe mbështetjen, jo aq të të rriturve, sesa atë të bashkëmoshatarëve të tyre.

qeramika2_dsa

Duke shprehur admirimin tonë për punën e palodhur që kryen në këtë mision fisnik, i urojmë veprimtari të mbarë këtij Fondacioni. Përfitojmë nga rasti që t’u drejtojmë një thirrje sensibilizuese lexuesve tanë në diasporë, kudo që janë nëpër botë, që të bëhen pjesë e mbështetjes ndaj Fondacionit Down Syndrome Albania, sipas dëshirës dhe mundësive të tyre. Çdo ndihmë është e mirëpritur.


Ju ftojmë të merrni pjesë në ekspozitën që organizohet nga Fondacioni Down Syndrome Albania me datë 22 Tetor, në orën 11:00, në Rezidencën Kodra e Diellit 2, në Tiranë.

Hapësira për debat