Voskopoja – art, qytetërim, magji gjithëstinëshe

Voskopoja, Shen Thanasi

Ajo ndodhet diku mes malesh, shumë metra mbi nivelin e detit, e strukur mes kurbave të buta të kodrave, bri pyjeve të dendur e të përjetshëm, duke ngjallur vazhdimisht kërshëri e mister për mënyrat e saj të çuditshme të ekzistencës.

Lindi, lulëzoi e u shua, duke lënë pas pikëpyetje pa fund në kokat e studiuesve, historianëve, kureshtarëve e adhuruesve të saj, për shekuj me radhë. Nga Shën Prodhomi hapet para vështrimit një pamje e mahnitshme nga duken majat e Lënies dhe Ostrovica, me një lartësi prej 2246 metra. Nga pika të ndryshme të fshatit ngrenë krye kambanaret e tetë kishave dhe manastireve të mbetura. Nëpër rrugët e qytetit të dikurshëm tingëllonin gëzueshëm e trishtueshëm kambanat e plot njëzetepesë të tillave…

Është Voskopoja, qyteti që vazhdon të nxisë shkrimtarët të shkruajnë për të, të krijojnë histori dashurie të magjishme, të joshen prej qytetërimit të saj elegant, të mahniten prej erudicionit të saj, të intrigohen prej misticizmit të saj. Shkëlqimi i saj vrasës, ishte edhe varri i saj. Asnjë perandori e errët si ajo turke nuk mund ta duronte gjatë një shkëlqim të tillë në mes të zymtësisë së mesjetës. S’kishte për çfarë t’i duhej padijes totale një akademi, një shtypshkronjë… për të mos folur pastaj për njëzetepesë kishat në një hapësirë aq të vogël, në mes të morisë së pafundme mbytëse të rrumbullakësisë së kupolave dhe minareve…

Voskopoja ne vitin 1742

Voskopoja ne vitin 1742

Thonë që e krijuan vllehët, shqiptarët, grekët… diku rreth vitit të hershëm 1330. Lulëzimin më të madh e pati në vitin 1764, atëherë kur popullsia e saj arriti në rreth tridhjetëmijë banorë. Pukëvili këmbëngulte se ishin gjashtëdhjetëmijë. Në atë periudhë kishte 25 kisha me afreske nga më të lakmuarat, ndër të cilat vetëm tetë mundën tu mbijetojnë tri shkatërrimeve. Ky qytetërim i pashpjegueshëm pothuajse në mes të hiçit ka pasur Akademi, Bibliotekë, Shtypshkronjë, artizanat të zhvilluar e tekstile dhe shërbeu si urë lidhëse jo vetëm brenda vendit, por edhe midis vendeve fqinje Greqi e Turqi.

Ajo u bë qyteti i lakmuar i piktorëve, që erdhën aty të derdhin talentin e tyre të ikonografisë, u bë qendra e vëmendjes e tregtarëve të kohës, si qyteti më fitimprurës e më i pasur, me një tregti të zhvilluar fuqishëm, që lidhte me njëra-tjetrën qytetet më të pasura të Europës. Aty lindi bërthama e kapitalizmit, me shenjat e para të një kulture paraindustriale, prijëse në të gjithë Ballkanin e asaj kohe. Produktet që dilnin prej saj kishin vlerën e markës autentike, të paimitueshme, një shqiponjë, origjina e së cilës nuk mund të ngatërrohej.

shenjtoret

Qytetërimi ishte ndërtuar në mënyrë perfekte në katërmbëdhjetë korporata, që funksiononin më mirë se njësitë bashkiake të kryeqytetit sot. Elita e qytetit ishte shtresa kapitaliste, zejtare, tregtare, por edhe mësuesit e Akademisë, piktorët zbukurues, autorët e afreskeve të lakmueshme nga të gjithë… Administrimi ishte aq demokratik sa të mahniste. Çështjet zgjidheshin aq drejt sa as në Senatin e dikurshëm të Romës vota nuk kishte pasur aq shumë vlerë . Gratë visheshin bukur, siç nuk ndodhte në asnjë vend tjetër të perandorisë. Qyteti kishte rrugë me kalldrëm, krejtësisht në kontrast me vijat e pluhurta të fshatrave të humbur, ku kalonin vetëm bagëtia… Aty flitej shqip, shkruhej shqip, mësohej shqip…. Guxim i madh për t’i bërë një sfidë të tillë Portës së Lartë…

Voskopoja ishte një qytet autonom që vetëqeverisej e që dukej se nuk ishte nevojë për dorën e madhe oktapodiane të Portës. Madje ajo vetë konsiderohej një qytet “me tentakula”, për shkak të tërheqjes së madhe që kishte. Aty jetuan Davidi, Kavaljoti, Grigori, aty vinin për të të jetuar të gjithë të rinjtë e zonave përreth e më larg, se e shihnin Voskopojën si tokën e premtuar.

Tepër shkëlqim. Shumë dije e panevojshme që nuk hynte në punë askujt, e sidomos sunduesve të interesuar për sa më shumë injorancë. Ishte thuajse një ishull shkëlqimtar në mes të ujrave të turbullta të mesjetës, ashtu siç shkruan edhe i fundmi i të magjepsurve, Blushi. Ishte një fenomen, thotë Plasari. Një copëz Europe në mes të obskurantizmit aziatik, shkruajnë historianët…

Shkatërrimi i saj i parë erdhi në vitin 1769. I dyti, pas tridhjetë vjetësh, për të mos i lënë kohë ringjalljes. I treti pas njëzeteshtatë vjetësh, për t’u siguruar përfundimisht që brezat nuk do të mund të trashëgonin asnjë copëz të shklëlqimit të dikurshëm. Mbetën vetëm rrënojat e tetë kishave dhe tek-tuk ndonjë rrugëz me kalldrëm… Jo aq e pashpjegueshme, po të kihet parasysh ngarkesa e madhe shpirtërore e mistike e botës së Zotit dhe engjëjve…

Po sot?

Sot Voskopoja është një fshat piktoresk, i bukur në çdo stinë të vitit. Natyra nuk ka ndryshuar, është po ajo, me rrugën që gjarpëron mes kurbave kodrinore si gjire vajzukesh. Ata që jetojnë aty, janë përpjekur të ndërtojnë një qytetërim tjetër, gjithsesi larg atij të dikurshmit por gjithaq mikpritës. Ne erdhëm këtu për herë të fundit në ditët e para të shtatorit, gjatë ditëve kur Xhunga përgatiste Shqip-in e saj të radhës. E mrekulluar edhe ajo prej të shkuarës së këtij ish-qyteti, e kënaqur mes mikpritësve për programin e saj.

voskopoje

Kryetari i komunës Nexhipi, rrezaton vetvetiu një qytetari mbresëlënëse që në fakt nuk duhet të çudisë askënd. Ai na pret si miq, ashtu siç pritet çdokush që vjen në Voskopojë. Agroni sheh me kënaqësi se si stafi i Shqip bën pregatitjet e emisionit që do të zhvillohet pikërisht në ambientet e hotelit të tij, që nuk mund të quhej ndryshe përveçse Akademia. U bënë mëse dhjetë vjet që ai pret e përcjell miq e turistë në Voskopojë, të cilët ndoshta nuk gjejnë më asnjë pjesë të qytetit të dikurshëm, por gjejnë qytetërimin e tij.

Përvoja të reja kanë zënë vend në Voskopojë, si Agim Bulka me hotelin e tij, që është struktura më e re pritëse aty. Agimi vjen nga familja e shkrimtarit të njohur Nonda Bulka dhe ndoshta pak prej kësaj e pak sepse njëzet vjet përvojë artistike në Televizionin Shqiptar, nuk mund të sjellin veçse dashuri për artin, ai ka dëshirë të rizgjojë vlerat e këtij vendi, duke ngritur pranë hotelit të tij një muze entografik. Dhe do të mbledhë aty të gjitha gjurmët e mbetura që njerëzit të mësojnë për qytetërimin e djegur trefish. Biblioteka e Voskopojës mund të ringjallet duke vendosur në raftet e saj në radhë të parë librat e shumtë që janë shkruar për të. Dhe janë shumë, thotë Gimi, që ka filluar t’i mbledhë tashmë. Ai e ka mbështetur me qejf botimin voluminoz të Prof. Stilian Adhamit “Voskopoja e Ilustruar”, që do të jetë padyshim pjesë e fondit të bibliotekës.

Voskopoja do të ketë një zyrë informacioni turistik, thotë kryetari, pasi e meriton të dihet më shumë për të. Vizitorët do të gjejnë aty çdo gjë, madje edhe guida që t’i udhëheqin përreth zonave të saj të mrekullueshme. Kishat dhe manastiret e saj, që tashmë kurohen me dashuri nga At Thomai, tentojnë të reflektojnë pak nga shkëlqimi i dikurshëm.

Voskopoja ka amvisa të mrekullueshme, fantazia e të cilave e kalon shumë herë numrin e produkteve me të cilat gatuajnë. Me perimet e stinës ju mund të shijoni receta shumëformëshe e plot shije. Ju nuk mund të largoheni nga Voskopoja pa provuar lakrorin me dy petë, mishin e pjekur apo petullat e fshira.

Voskopoja ka një pistë skish, për të mos e lënë dimrin të jetë vetëm një kënaqësi ndanë oxhakut të ndezur por edhe një vend plot jetë ku zhvillohen aktivitete e kampionate. Pyjet e saj mbulohen nga veli i bardhë e kthehen në labirinthe të magjishëm ku çdokush do të humbiste me dëshirë.
Vjeshta e Voskopojës është ndër më të bukurat që mund të këni parë. Peisazhi fiton një numër ngjyrash që kthehen në një spektakël të vërtetë.

E kaltra e qiellit të kristaltë, përzihet me ngjyrën e kuqërreme të pemëve dhe të gjelbrën e barit mbi lëndina, duke ju shkaktuar një ndjesi trishtimi e kënaqësie njëkohësisht, përzierje që shkon gati-gati në lumturi. Çdo kthim koke nëpër kodrinat e saj fal një panoramë të denjë për kartolinë.

Ka më shumë se kaq arsye, për të shkuar të vizitoni Voskopojën…


Artikulli është përgatitur për Albania News nga Flora Xhemani

Hai qualcosa da aggiungere a questa storia? Condividilo nei commenti.

Loading Facebook Comments ...