Nga Arjan Th. Kallço
Të vlerësosh dhe nderosh një njeri për veprën e tij që ka lënë pas, nëse kjo vepër i ka shërbyer shoqërisë dhe progresit, është vërtet mirënjohja dhe respekti më i madh që mund t’i bëhet në këtë kohë të trazuar shqiptare, ku duket hapur se vlerat nuk janë më vlera, ku meritat nuk janë më merita, ku kontributet nuk janë më kontribute.
Nëse njeriu nuk vlerësohet për mendjen e vet me të cilën që ka krijuar vepra që mbeten në kohë, atëherë përse vlerësohet? Përvoja shqiptare e pas viteve ’90 tregoi dhe vazhdon të tregojë se demokracia në kuptimin e vet më të vërtetë është një tabu’, të cilën të gjithë e përmendin, por askush nuk e kërkon gati perfekte. E nëse tabutë jo gjithmonë i rezistojnë kohës, herët a vonë të bjerë dhe kjo tabu’ e fundit moderne e mendjes njerëzore dhe bashkë me të e gjithë kështjella që njerëzit me vetëdije apo jo e ngritën në këmbë, e mbajtën në padrejtësinë e vet me forcën e pushtetit dhe të parasë, duke na e sjellë si shembullin e qartë të pabarazive shoqërore.
Njeriu si qënia e vetme që krijon e ndërton, por dhe shkatërron është jo vetëm unikale në botë, por dhe e gjykueshme për punën e bërë, prandaj askush sado perëndi të shfaqet, nuk mund t’i shpëtojë gjykimit, interpretimit dhe vlerësimit. Çdo shoqëri ka njeriun e vet tek i cili mbështetet për të realizuar synimet, por asnjëherë nuk ka patur uniformizëm dhe formim në shkallën më të lartë. Kudo ka patur dhe do të ketë të mira, arritje, zhvillim, por edhe të këqia, dështime, regres. Historia është e mbushur me raste të tilla të shumta saqë shpesh duket se e përsëritin qëllimisht grupe interesi për qëllimet e veta. Por dhe njeriu që i prodhon të gjitha llojet e interestave është i mirë, i lig, midis të parës dhe të dytës, dhe asnjëherë i përsosur. Nuk na nevojitet njeriu i përsosur, sepse do të ishte klonim i utopive dhe idealistëve të shekujve, por na duhet njeriu i virtytshëm dhe human. E njerëz të tillë kurdoherë kanë dalë nga shoqëria, janë pikërisht këta që i kanë dhënë impuls dhe vitalitet shoqërisë, prandaj kjo e fundit ka nevojë për këta njerëz. Janë këta njerëz që i vënë vulën pozitive kohës dhe historisë, që kujtohen dhe përkujtohen në breza.
Por çfarë ndodhi me shoqërinë shqiptare të pasrevolucionit të fillimviteve ’90? U shpërbë tërësisht dhe u zhvesh nga të gjitha tiparet e tij humane për ta veshur me disa cilësi gjoja demokratike. Të gjitha këto konkluzione që Shqipëria po i nxjerr nga dita në ditë, janë të dokumentuara në arkivat e kujtesës kudo ku iluzionet e lirisë dhe të të drejtave janë dhunuar dhe dhunohen me maska demokratike. Këto mësime na i thanë miqtë tanë sapo shkelën në Shqipëri në vitet e para, por ranë në vesh të shurdhër të pasuara këto nga verbëria dhe ndasitë politike. Sa më shpejt të harrohen mësimet, aq më shpejt shoqëria është e pritur të kthehet pas dhe ta kërkojë përsëritjen e historisë, me qëllime të qarta që grupe të caktuara të mos humbin pozitat e veta në shoqëri.
Kisha kohë që po mendoja të shkruaja një artikull lidhur me meritat dhe vlerësimet për njerëzit që vërtet i kanë dhënë shoqërisë vlera, por gjithmonë isha i prirur drejt idesë se diçka do të ndryshonte. Prit e s’ka dhe në vend që të ecnim para, kemi marrë rrugën e ërrësirës dhe të tunelit të fanshëm të Dantes që vetëm pas purgatorit e shihte dritën e mirësisë. Tek ne këta purgatorë nuk do të ngrihen kurrë dhe nëse do të ngrihen nuk do të funkzionojnë kurrë, pasi që në themele janë sabotuar nga hipokrizitë e vetë shoqërisë.
Pak kohë më parë në një takim e lexova qartë se cili ishte kuptimi i vlerave ndaj njeriut, kur nuk po dilte e qartë se cili e meriton vlerësimin maksimal në shoqëri. Fjala që shtrohej për diskutim ishte se cili do të quhej personalitet i një fushe të caktuar të shoqërisë. Arsyetimit dhe logjikës së ftohtë nuk do t’i mjaftonte asnjë kohë dhe asnjë përcaktim racional që t’ia ndryshonte mendimin firmëtarit të vlerësimit. Titulli Qytetar Nderi i qytetit, apo Nderi i qarkut i ka futur në një thes të gjithë, ata që janë vërtet personalitete në fusha dhe ata që nuk kanë as minimumin për të qënë të tillë. Në betejat midis të mirës dhe të keqes shpesh fiton e keqja për të na thënë se e mira është pakicë, se i mirë njeriu bëhet kollaj, por i keq nuk është e lehtë, pasi kërkon të shpërbësh plotësisht karakterin dhe ndërgjegjen dhe se në jetë duhët të ndjekësh rregullin e matrapazit apo të hilacakut. Por nëse përmasave groteske të dy titujve të mësipërm i shtojmë dhe atë të Qytetarit të Nderit të komunës atëherë komedia shqiptare nuk përfundon.
Përsëri kohë më parë solla në vëmendjen e vendimarrësve një prej figurave më të shquara shqiptare, por dhe europiane dhe botërore, ma servirën me shumë dashamirësi disa kolegë italianë dhe një atashe, profesorin e nderuar me origjinë nga Korça, Androkli Baltadorin, përsëri veshi shurdh nuk e pastroi dyllin që e kishtë zënë komplet kanalin e dëgjimit dhe e la në heshtje. E risolla në vëmendjen e vendimarrësve aktualë të qytetit dhe nuk mungoi vlerësimi për të, por u tha hapur se është ekzagjeruar me titujt, është kaluar masa e arsyes dhe ndonjë bërejtje ka filluar ta shkundë amullinë tipike shqiptare.
Me të drejtë thonë se nuk mbeti njeri pa marrë, shpesh pa e blerë, një titull, një çertifikatë, një gradë shkencore të pamerituar etj. Kush i dha dhe me urdhër të kujt u dhanë? Cilat interesa u plotësuan dhe përse me kaq bujari? Ja pra që edhe gjykimi për të cilin fola më parë ose vjen nga njerëzit, ose dikush zgjohet dhe e kupton se e kanë katranosur. Lexova një material tjetër për një shkencëtar shqiptar me origjinë nga Korça, Robert Naçi, i cili fatkeqësisht u nda nga jeta parakohe, me një kontribut të jashtëzakonshëm në shkencë, ku mjafton të përmendësh faktet që e bëjnë unik, dhe do ta kuptosh se sa shumë ngjan me profesor Baltadorin. Po përmend disa prej kontributeve që ka dhënë në shkencën shqiptare: vuri mbi baza shkencore shërbimin hidrometeoroligjk, bashkëautor i monografive për klimën e vendit tonë, studimi i aplikuar për klimën e Korçës, mbi regjimin e erërave në Shqipëri, dr. i shkencave, laureat i Çmimit të Republikës, anëtar dhe i vlerësuar nga Organizata Botërore e Meteorologëve për studimin e klimës së Ballkanit.
Përsëri burokracia apo hipervlerësimi për figura të dimensioneve shumë të vogla e sfidon unicitetin gjenial tek i cili duhet të ndalet vëmendja për një vlerësim sa më të drejtë dhe të merituar. Unik është çdo njeri në shoqëri për sociologjinë, pasi ka natyra të pafundme dhe të pangjashme, por unikë të pakrahasueshëm me unikët e sociologjisë të sipërpërmendur janë shkencëtarët, dijetarët, artistët, shkrimtarët, mendimtarët e mëdhenj të një kombi.
Këto ditë Universiteti i Korçës do të përkujtojë një tjetër figurë të madhe të letërsisë dhe filozofisë, shkrimtarin e shquar Sterjo Spasse me rastin e 100 vjetorit të lindjes, figurë që është unike në llojin e vet, por që për shumë kohë u la në heshtje dhe të mos harrojmë se është shkrimtari i parë modernist shqiptar i shekullit të kaluar, i pari i të parëve. Këta janë njerëzit që e meritojnë vlerësimin e të gjithë kombit shqiptar, jo disa kalimtarë, mes të cilëve shumë poltikucë qytetarë nderi të dhuruara nga të tjerë këmborëtundës, që nuk kanë asnjë kontribut gjurmëlënës në historinë tonë. Emrat e këtyre njerëzve i japin Shqipërisë qytetarinë në Europë tek e cila po kërkojmë të hyjmë me çdo kusht, qoftë edhe duke bërë komedi të pashije me realitetin tonë të hidhur.