Sjellja në shqip e një libri me pasuri terminologjike, konceptuale dhe teorike, sikurse është “Arkitektura dhe moderniteti”, ka ndër të tjera edhe objektivin e pasurimit të bagazhit të gjuhës profesionale të fushës së arkitekturës në shqip.

Kjo do të kontribuonte sadopak edhe për zhvillimin e një debati profesional që mbështetet në argumente teorike dhe jo në retorika pa vlerë, apo edhe për fillimin në Shqipëri të kritikës profesionale në fushën e arkitekturës dhe planifikimit të qyteteve, e cila aktualisht është pothuajse e munguar dhe një nga arsyet e prapambetjes aktuale.

Personalisht mendoj se varfëria fizike në arkitekturë, qytet e territor e ka burimin edhe te varfëria shpirtërore që buron nga pamjaftueshmëria e bagazhit kulturor e konceptual. Prej rrethanave historike gjuha e profesioneve tona (e arkitekturës dhe e planifikimit urban) e për pasojë edhe të kuptuarit e shumë fenomeneve kanë mbetur ende pre e izolimit të viteve para ’90-ës. Kaosi territorial dhe urban pasqyron ndër të tjera edhe rrëmujën tonë mendore në lidhje me të kuptuarit e gjërave dhe mbi të gjitha mungesën e kuptimit të përbashkët të fenomeneve (vetë shprehjet “urbanistikë”, “planifikim urban” dhe “planifikim hapësinor” nuk kuptohen njësoj nga të gjithë).

Kjo sjell edhe vështirësinë për t’u shprehur e për t’u marrë vesh me njëri tjetrin, edhe përmes gjuhës dhe gjithë ndërvarësive të tjera që ajo krijon. Pra, jo vetëm duhet të vazhdojmë të sjellim sa më shumë libra të fushës profesionale në gjuhën shqipe, pavarësisht faktit që shqipja dhe sidomos profesione të caktuara kanë një numër të kufizuar lexuesish, por edhe profesionistë të tjerë duhet t’i bashkohen këtyre nismave.

Duke lexuar “Arkitektura dhe moderniteti” natyrshëm lind edhe pyetja, se sa ka qenë Shqipëria pjesë e lëvizjeve të përshkruara në harkun kohor të këtij libri, që nga Bauhaus-i e deri te revolucioni teknologjik? Sa kemi mundur të kalojmë përmes këtyre vlerave emancipuese, të cilat me shumë vështirësi kanë depërtuar e depërtojnë përmes traditave të vjetruara të çdo vendi? Sa kanë aspiruar, apo kanë ndihmuar për një shoqëri më të drejtë arkitektët dhe urbanistët në faza të ndryshme historike?

Në lidhje me sa më sipër, libri të shtyn të reflektosh për rrethanat tona konkrete dhe të frymëzon për ta parë këtë situatë të çliruar nga krenaritë provinciale që ende mbizotërojnë , si e vetmja mënyrë për të guxuar me optimizëm drejt modernitetit. Me keqardhje konstatojmë se për rrethana të caktuara historike, Shqipëria jo vetëm që nuk ka qenë pjesë e këtyre lëvizjeve, por edhe aktualisht nuk po bëhen përpjekjet e duhura për t’i kuptuar dhe studiuar ato, sidomos për t’i përçuar tek brezat më të rinj të studentëve. Lëvizjet brenda profesioneve të arkitekturës dhe planifikimit të qyteteve në Shqipëri nuk kanë kaluar nëpër ato procese shtresëzimi dhe konsolidimi sikurse në shumë vende të Evropës Perëndimore.

Duke filluar nga vitet ‘20 të shekullit të kaluar (që përkon me periudhën kur fillojnë edhe ngjarjet e këtij libri) e deri në prag të Luftës së Dytë Botërore këta profesionistë në Shqipëri ishin shumë të pakët në numër (të studiuar jashtë shtetit). Dihen mundësitë, apo liria e shprehjes së profesionistëve gjatë periudhës së regjimit totalitar e deri në prag të viteve ‘90.

Pasojat e kësaj periudhe të gjatë shkëputjeje nga rrjedhat botërore ndihen edhe sot në mungesën e trashëgimisë së një diskursi profesional të bazuar në ide dhe koncepte të filtruara nga historia, apo nga kërkimet shkencore. Profesionistët të cilët flasin ndryshe ende ndihen të shtypur nga masa mediokre apo nga pjesët e politikës të lidhura me interesa. Ky është vetëm një reflektim i shkurtër në lidhje me atë çka profesionistët e fushës duhet ta trajtojnë me shumë seriozitet.

Të shumta, të pasura dhe të thella janë mesazhet përmbajtjesore që kemi dashur të sjellim duke përkthyer këtë libër. Më i rëndësishmi është: moderniteti si kurajë kapërcimesh të reja, si frymëzim, si përpjekje për të përkthyer krizat në vlera, që është edhe lajtmotivi kryesor i librit, siç e shpreh edhe vetë autori.
Kështu, kuptohet qartë që moderniteti në arkitekturë është një paralele e gjithë historisë.

Libri e trajton më së miri këtë ide duke filluar nga vitet ‘20 të shekullit XX, pra nga pranimi i modelit industrial në arkitekturë, ose që nga Bauhaus-i, e deri në ditët e sotme me kërkimet mbi arkitekturën që bazohet tek informacioni, ose tek revolucioni informatik. Trajtimi i trajektores së arkitekturës përmes evidentimit të katalizatorëve kyç të modernitetit, të reaksioneve zinxhir të ndërlidhjeve midis tyre, apo me fushat e tjera disiplinore, si edhe me ngjarjet historike me impakt epokal, sjell një këndvështrim shumë kompleks të kapërcimeve kryesore dhe atyre të pritshme të arkitekturës. Kjo përbën një vlerë të veçantë të librit.


ARKITEKTURA DHE MODERNITETI – Nga Bauhaus-i te revolucioni informatik

Kopertina_Finale
Kopertina e librit Arkitektura dhe moderniteti – Nga Bauhaus-i te revolucioni informatik

Botues UNIVERSITETI POLIS
Përkthyen:
Sotir Dhamo
Ermal Hoxha
Dorina Papa
Ledian Bregasi
Ardit Lila

Nga PARATHËNIA E BOTIMIT SHQIP“Një mesazh optimizmi për kërkimin në arkitekturë dhe planifikim”. Nga Sotir Dhamo

Hai qualcosa da aggiungere a questa storia? Condividilo nei commenti.

Loading Facebook Comments ...